Moda mund të ndryshojë dhe “e arta” mund të mos jetë ngjyra e preferuar e njerëzve. Gjithsesi, Lionel Mesi vazhdon t’u kujtojë të gjithëve se klasi nuk varet nga moda, dhe nuk është si modeli i flokëve të Bitëllsave apo Elvis Preslit, dhe modeli i veshjes së Anzheli Zholisë.
Dy golat që shënoi në portën e Totenhemit ishin në vazhdën e një fillimi të shkëlqyer të sezonit, pavarësisht lodhjes dhe stresit të madh të Botërorit. Argjentinasi ka 10 gola në 10 takime këtë edicion për Barcelonën, si dhe 5 gola në 2 ndeshje. Nëse gjithçka do të ecë normalisht, numri 10 katalanas mund të thyejë rekordin e Kristiano Ronaldos me 11 rrjeta në 6 ndeshje të grupit në Champions, vendosur në 2015-2016. i mbetet të tregojë veten me Interin, se ndaj PSV-së dhe Totenhemit e bëri.
Leo ka 105 gola në Champions në 127 ndeshje, duke qenë në ndjekje të Ronaldos që ka 121 rrjeta në 160 sfida. Në total, me klubet (Barcelonën), “Pleshti” ka shënuar 562 rrjeta në 647 paraqitje, ndërsa bashkë me golat e kombëtares, është në nivelin 627 realizime në 732 ndeshje. Rivali i tij i madh, Ronaldo ka 576 gola në 771 takime me klubet (Sporting, Man. Junajtid, Real, Juventus) dhe 661 shënime në 878 ndeshje.
Dy gjigandët e sotëm të futbollit botëror po përpiqen të arrijnë legjendat e mëdha të së kaluarës si Pele (784 gola në 855 ndeshje), Romario (734 gola në 956 ndeshje), Gerd Myler (720 gola në 769 ndeshje) dhe Ferenc Pushkash (706 gola në 714 ndeshje).
Sfidanti.al