Liverpul, duhet të dish të kënaqësh ambicien e Salahut

Mohamed Salah nuk ka ndërmend të lëvizë nga Liverpuli. Ylli egjiptian, një nga më të mirët në Europë këtë sezon, është shprehur se ka bërë plane për suksese të mëdhe në të ardhmen me skuadrën angleze, ndërsa shpreson të fitojë trofeun e parë, Ligën e Kampionëve, duke qenë në finalen që do të luhet në 26 maj në Kiev ndaj Realit.

Madrilenët shpesh herë janë përmendur si destinacion i tij i ardhshëm, pasi sipas mediave kanë qenë të interesuar për ta marrë, veçse për momentin, Salah ka tjetër gjë në mendje. “Unë jam shumë i lumtur (në Liverpul), shumë i lumtur, dhe gjithçka po shkon shumë mirë, – theksoi ai në një intervistë të fundit, – padyshim që unë kam ambicie të mëdha në të ardhmen me Liverpulin. Siç mund ta shikoni ne kemi bërë një sezon të madh dhe jemi në finalen e Championsit”.

“Ky është vetëm fillimi”, – ishin fjalët e tjera të tij, por Jurgen Klop dhe drejtuesit e të kuqve e dinë se duhet të arrijnë sukses patjetër. Liverpuli duhet të luftojë çdo vit për tituj dhe për të qenë në Champions, ndryshe edhe një lojtar i përkushtuar si Salah mund të kërkojë të shkojë diku tjetër, ku mund të fitojë trofe.

Sfidanti.al