Nuk pritet të jenë ata që ta kthejnë “kupën me veshë” në Angli, por dy përfaqësuesit ishullorë të së martës ia dolën të kishin sukses përsëri në Champions. Leiçester dhe Totenhem pritet që, sipas të gjitha gjasave, ta vazhdojnë rrugën në këtë konkurrim edhe në pranverë. Kampionët e Anglisë, djemtë e trajnerit Ranieri, nuk u ndikuan nga dështimet në Premier, por arritën fitoren e tretë radhazi në kontinent.
Lojtari më i mirë i vjetshëm, Rijad Mahrez, shënoi golin e vetëm në stadiumin e tij, në 40’, për të mposhtur 1-0 FC Kopenhagenin e Danimarkës. Në këtë grup (G), anglezët kanë 9 pikë të plota, ndërsa Kopenhageni u barazua në kuotën 4 nga Porto. Portugezët përmbysën shifrat në Belgjikë ndaj Klub Bryzhit. Lajun dhe Andre Silva me penallti bënë të pavlefshëm rrjetën e Vosenit në pjesën e parë.
Totenhemi, ndryshe nga Leiçesteri, luajti jashtë fushe, por e përballoi Leverkusenin në Gjermani. Barazim 0-0 ku më shumë spikatën kartonët e verdhë për Çalhanoglunë e Lamelën. Në grupin E, barazim edhe sfida tjetër luajtur në Moskë. CSKA-ja vendase, kampione e Rusisë, doli 1-1 me Monakon, pasi golit vendas nga Lasine Traore iu përgjigj Bernardo Silva tre minuta para fundit. Renditje e ngjeshur në grup, ku Monako ka 5 pikë, Totenhem 4, Leverkusen 3 e CSKA 2.
B. Kuka