Një adoleshent i ri “i ëndrrave” është në qendër të vëmendjes në basketbollin amerikan. Me shpresë që të mos shkatërrohet nga fama pa u bërë edhe i famshëm, ai besohet se do të jetë e ardhmja e koshit në NBA. Quhet Çol Marial, është vetëm 16 vjeç, dhe ka shtatlartësi prej 2.21 metrash, pra afërsisht sa kishte Arvidas Sabonis në moshë të rritur. Me krahët e gjatë të ngritur lart arrin deri në 2.40 metra, duke qenë një fenomen për parametrat fizikë.
Marial është me origjinë nga Sudani i Jugut dhe u zbulua nga gjahtarët e talenteve në një kampus “Basketbolli pa kufij”. Adoleshenti luan në shkollën e mesme “Uest Ouks” të Floridës, ndërsa drejt tij kanë ardhur kërkesa nga skuadrat e universiteteve, si ai shtetëror i Floridës, Xhorxhtaunit, Ajovës, Sent Xhonit apo Virxhinias Perëndimore.
Basketbollisti i ri pritet të zgjatet edhe shumë centimetra të tjerë derisa të arrijë moshë madhore, rreth 20-21 vjeç, dhe pastaj të ketë shansin të tregojë klasin në parketet e NBA-së. Pas kolosëve si Uilt Çembërlen, Karim Abdul Xhabar, Arvidas Sabonis, Jao Ming, George Mureshan apo Manut Bol, kampionati i basketbollit më i bukur në botë pritet të ketë një tjetër që mund t’i thyejë të gjithë rekordet.
- Kuka