Kriza e Verratit, nga oferta e Barcelonës tek “gropa” me Italinë!

Marko Verrati nuk është më ai i pari. Një nga mesfushorët më të mirë të botës është në krizë, duke shtuar edhe një problem për Paris SG, këtë sezon. Italiani 24-vjeçar duket se ka marrë një goditje të dyfishtë, së pari me ofertën e Barcelonës, dhe së dyti me gjendjen që po kalon te kombëtarja e tij.

Ky është mendimi i ish-sulmuesit të shquar francez, Kristof Dygarri, që ka kritika të forta për Verratin. “Unë mendova se ky djalë mund të ishte pasuesi i Iniestës, por për momentin ai është shumë larg nga kjo gjë, – u shpreh Dygarri, – ai duhej të ishte kthyer në liderin e Paris SG pas largimit të Ibrahimoviçit, por nuk e arriti atë nivel”.

Verrati ka luajtur vetëm në 6 nga 9 ndeshjet e PSG-së këtë edicion, duke marrë 3 kartonë të verdhë dhe një të kuq, ndërsa i ka munguar krijimtaria e pritshme. “Ai humbi në deklaratat që bëri, – vazhdoi Dygarri, – ai u shpreh se “unë dua të shkoj te Barcelona, unë mund të shkoj atje ku kam dëshirë”. Ndoshta, mendja e tij nuk është në vendin e duhur. E pashë me Italinë ndaj Spanjës dhe Izraelin dhe ishte shumë dobët. Kam shumë dyshime për aftësitë e tij, ndonëse kam shumë dëshirë që të dal i gabuar”.

Sfidanti.al