Klopi s’mbahet… hyn në “luftë” me te gjithë stolin e Seviljes!

Jyrgen Klopi, sigurisht, që nuk mund të ishte i kënaqur me epilogun e ndeshjes (2-2) mes Liverpulit dhe Seviljes që u luajt në kuadrin e raundit të parë të Ligës së Kampioneve (LK) dhe, krahas zhgënjimit lidhur me performancën e ekipit të tij në fushë, ai tregoi edhe nervozizmin e tij te vija anësore, gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes. Klopi, madje, hyri në “luftë” me të gjithë stolin e Seviljes, andej nga mesi i pjesës së dytë të ndeshjes dhe në fund të ndeshjes. Ky trajner gjerman shpjegoi, më pas, se përse ishte nxehur, sidomos, në fund të ndeshjes, kur u tha diçka ndihmësve të Berixhos. Trajneri i Seviljes, në fakt, u përjashtua, sepse pengoi një lojtar të Liverpulit që ta realizonte shpejt një hedhje auti dhe Klopi, mbas ndeshjes, u përpoq t’i shpjegonte stolit të Seviljes se nuk ishin shkak protestat e tij që trajneri i Seviljes u përjashtua.

“Trajneri i Seviljes nuk përbente ndonjë problem për mua. Nuk mendoj se unë kam ndonjë ndikim te gjyqtari. Unë nuk kërkova përjashtimin e tij, por vetëm se shpreha shqetësimin tim për atë që ai bëri. Njerëzit e stolit të Seviljes më akuzojnë mua se qënkam unë shkaktari i përjashtimit të tij dhe kjo mua nuk më pëlqen aspak. Prandaj, edhe unë reagova ashtu”, tha Klopi.

Sfidanti.al