Atletiko e Madridit do të jetë në “Anfild” këtë të mërkurë në mbrëmje, dhe kjo do të thotë se në stadiumin e Liverpulit do të kthehet Luis Suarezi. Sulmuesi uruguajan këtë herë do të jetë si kundërshtar i të kuqve, për të cilët luajti për 3 sezone nga 2011 deri në 2014, dhe shënoi 82 gola në 133 ndeshje. Kapiteni i sotëm liverpulas, Xhordan Henderson, kërkon nga publiku që ta presë me brohoritje Suarezin që e cilëson “fenomenal”. “Suarezi më ndihmojë në mënyrë të jashtëzakonshme që të përshtatesha në ekip, – thotë Hendersoni, – ai ishte i jashtëzakonshem”. Uruguajani pati edhe momente të vështira në Premier Ligë kur u akuzua për racizëm ndaj Patris Evrasë dhe kafshoi Branislav Ivanoviçin, diçka që nuk e përsëriti tek Barcelona. Vizita e parë e Suarezit në “Anfild” ishte pikërisht me Barcelonën, në humbjen 0-4 në gjysmëfinalen e Championsit në 2019.
Sfidanti.al