Le të mos shikojmë statistikat, sepse ato duhet të jenë e shkuara. Vllaznia vërtet ka pësuar tri humbje në tri ndeshje në fazën e grupeve në Champions, për femra, madje duke marrë 15 gola e duke mos shënuar asnjë, por ndryshimi e ka një moment kur vjen. Vajzat shkodrane shpresojnë që ky çast të jetë pikërisht sot, ndërsa në orën 18:45 do të presin Paris SG në “Loro Boriçi”. Përballja e parë në Francë përfundoi 5-0 për vendaset, por gjithsesi, Vllaznia dha shpresë në pjesën e parë në fushën pariziene. Objektivi është përmirësimi, por padyshim edhe arritja e pikës së parë historike, pasi u realizua objektivi i parë, kualifikimi në fazën e grupeve. Trajneri Nikolin Leka nuk zbulon formacionin. Kjo do të jetë ndeshja e dytë në “Loro Boriçi” për kampionet e Shqipërisë, dhe në përballjen e kaluar Vllaznia nuk u turpërua duke humbur vetëm 0-2 ndaj Realit të Madridit.
Sfidanti.al