Barça, në rekordin botëror të tifozëve për femra nuk pati publik gjerman!

Këtë herë ishte ndryshe, ndonëse kundërshtari fliste gjithashtu gjermanisht. Gjithsesi, nuk ndodhi si në ndeshjen e Ligës së Europës mes Barcelonës e Ajntrahtit të Frankfurtit (për meshkuj), kur rreth 25 000 tifozë gjermanë ishin në stadiumin “Kamp Nou” për të përkrahur ekipin e tyre që i kënaqi duke u kualifikuar për në gjysmëfinale. Mbrëmjen e fundit ishte radha e skuadrës së femrave të Barcelonës që të priste në “Kamp Nou” një ekip gjerman, Volfsburgun, dhe fitorja 5-1 në Champions u realizua në sytë e një publiku rekord botëror për futbollin e vajzave. Në stadium ishin 91 648 tifozë, një shifër që ekipi i Ksavit nuk po e realizon dot, dhe që madje tejkaloi rekordin botëror të vendosur në çerekfinale në përballjen ndaj Realit të Madridit, me 91 553. Janë vetëm rreth 100 tifozë më shumë, ndërsa në rastin e Realit në “Kamp Nou” mund të kishin qenë 95 000 spektatorë (aq bileta ishin shitur) nëse nuk do të kishte qenë mot me stuhi dhe reshje shiu.

Sfidanti.al