Robert Levandovski dëshirohet të mbahet, dhe nëse ikën do të ishte një problem. Tek Bajerni kanë plane të tjera për “shkurtim” të skuadrës dhe për këtë është përpiluar një listë. Trajneri Niko Kovaç ka pasur tashmë një takim sekret me drejtuesit e klubit, Uli Hënesin dhe Karl-Hajnc Rumenigen, ku është “sistemuar” situata.
Katër futbollistë mund të largohen këtë verë, dhe gazeta “Bild” jep listën. Arturo Vidal, 31 vjeç, nuk do të mbahet nëse për të vjen oferta e duhur, ndërsa ai ka kontratë deri në 2019. Të njëjtën gjatësi kontrate ka edhe Huan Bernat, i cili mund të largohet pasi nuk është i kënaqur me minutazhin.
Tiago Alkantara është vetëm 27 vjeç dhe është një nga më të talentuarit në skuadër. Katalanasi besohet se nuk ndihet shumë i vlerësuar në Mynih dhe Bajerni është gati të bisedojë me të. Së fundi, mbrojtësi i kombëtares së Gjermanisë, Zherom Boateng. “Bild” lë të nënkuptohet se edhe lojtari, edhe Bajerni, mund të jenë dakord për një ndarje, por Boatengu do të marrë vendim vetëm pas Kupës së Botës.
Sfidanti.al