Bajern, me këtë rezultat, një herë mirë, e një herë keq me Liverpulin

Dueli në “Anfild” përfundoi 0-0, me Bajernin që luajti mjaft mirë taktikisht, duke mos i lejuar Liverpulit më shumë se tri raste për gol, dy herë me Sadio Manenë dhe një herë me Zhoel Matipin. Tradita është e mirë për bavarezët, pasi 6 herë nga 7 është kualifikuar kur ka barazuar 0-0 jashtë fushe në Europë.

Gjithsesi, hera e vetme që është eleminuar, i ka ndodhur pikërisht me Liverpulin. Kjo, në sezonin 1980-1981, kur dy skuadrat u ndeshjen në gjysmëfinale të Kupës së Kampionëve.  Dueli i parë në “Anfild” përfundoi 0-0, ndërsa në “Olimpiashtadion” doli 1-1. Liverpul atë vit fitoi trofeun, pasi mundi 1-0 Realin e Madridit në finalen e luajtur në Paris.

Sidoqoftë, duhet theksuar se mes dy ekipeve ka pasur edhe një tjetër skenar të tillë, që përfundoi në favor të Bajernit, në Kupën e Kupave në 1971, me barazimin 0-0 në Angli dhe fitoren 3-1 të gjermanëve në Mynih. Herët e tjera, Bajerni ia ka dalë ndaj Sent Etienit të Francës, Benfikës dy herë, PAOK-ut të Selanikut apo Shahtarit të Donjeckut.

Sfidanti.al