Vetëm në Gjermani ndodh: 33 000 veta në stadium për një ndeshje të rinjsh!

Lajmi se finalen e mbrëmshme të Bundesligës gjermane të të rinjve mes Dortmundit dhe Bajernit, në “Vestfalenin” legjendar, e kishin ndjekur mbi 33 000 veta, është me të vërtetë impresiv dhe treguesi më i mirë sesa e duan gjermanët futbollin. Po, e lexuat mirë, në stadiumin e lartpërmendur, ishin plot 33 450 veta që kishin mbushur tribunat e tij që të shihnin shpresat e reja, jo më shumë se 19 vjeç, të klubeve të tyre të dashur.

Kurse në tribunat e stadiumit kishte tifozë të moshave nga më të ndryshme, të moshuar e të rinj, ultras dhe simpatizantë të zakonshëm, të gjithë të përzier. Sidoqoftë, një fakt mjaft interesant, është ai se, midis të pranishmëve në stadium, të përzier me të gjithë të tjerët, ndodheshin edhe presidenti i Bajernit të Mynhiut, Uli Hënes, dhe ndihmëstrajneri, Herman Zherlan.

Sfidanti.al