Për herë të parë nën drejtimin e Niko Kovaçit, dhe për herë të parë në 8 vjet karrierë, Tomas Mylerit i qëlloi të rrinte në stol dy ndeshje radhazi. Sulmuesi 29-vjeçar që ndodhet në një krizë forme dhe goli, shoqëroi Zherom Boatengun, që gjithashtu pati dy ndeshje pa luajtur, veçse duket se reagimi i tyre nga “halli” që i ka zënë, është i ndryshëm.
Në Gjermani dhe tek Bajerni, atë e quajnë “shefi i stolit të rezervave”. Mbrojtësi Xhoshua Kimih, që për vete është titullar, shprehet se “është e mrekullueshme mënyra sesi sillet Tomasi, pasi është gjithnjë pozitiv”. Kimih tregon se Myleri gjithnjë e nxit skuadrën për të dhënë maksimumin, edhe kur nuk është titullar.
Vetë futbollisti nuk ka dëshirë të flasë për këtë çështje. “Kryesorja është që skuadra të shkojë mirë, – shprehet Myleri, – nuk ia vlen të flasim për zëvendësimet dhe për ata që nuk luajtën. Le të diskutojmë për ndeshjet, pasi nuk ndihmon nëse bëjmë diskutime të tjera”.
Sfidanti.al