Timo Verner, yllin që hodhi “tuç” Napolin e do gjithë Europa

Radha e pretendentëve është e gjatë. Real Madrid, Mançester Junajtid, Liverpul, Çelsi. Të gjithë këta presin me padurim se çfarë do të bëjë ylli i Lajpcigut, Timo Verner. Futbollisti 21-vjeçar, tashmë pjesë e kombëtares së Gjermanisë, shkëlqeu në Ligën e Europës me dy gola në portën e Napolit në “San Paolo”, por lajmet për golat, nuk ishin të vetmet në media.

Raportohet se ai ka refuzuar rinovimin e kontratës me Lajpcigun, ndërsa ka njoftime kontradiktore për marrëveshjen aktuale të tij me klubin e Bundesligës. Thuhet se akordi përfundon në verë, ndërsa drejtori sportiv i Lajpcigut, Ralf Rangnik, thotë se kontrata e Vernerit është deri në 2020. “Nuk nxitohemi për bisedimet, – u shpreh ai, – kemi kohë plot për t’u marrë vesh, ndërsa Timo nuk do të shkojë askund këtë verë”.

Edhe trajneri i Bajernit, Jup Hajnkes, u shpreh pak javë më parë se bavarezët kishin bërë gabim që nuk e kishin marrë Vernerin përpara Lajpcigut. Besohet se vlera e kartonit të tij për momentin arrin në 55 milionë euro.

Sfidanti.al