Marko Rojs e Mario Gëce ishin figura të njohura, sidomos kapiteni, por tashmë bashkë me ta do të luajë edhe Mats Humelsi. Një tjetër kampion i botës për Dortmundin, së bashku me disa përforcime të rëndësishme, si dhe me të rinj si Xhejdon Sanço apo të tjerë. E gjitha kjo ka bërë që biznesi i Borusias të rritet dhe numri i fanelave të shitura çdo muaj ka shkuar nga 40 000 në 60 000. Pra, një shtim 50 për qind, jo shaka.
Revista “Sport Bild” informon se të ardhurat nga marketingu do të kalojnë “barrierën” prej 100 milionë eurosh, ndërsa sezonin e fundit arritën në 97 milionë. Abonetë janë shitur që të gjitha dhe numri i spektatorëve në “Signal Iduna Park” do të jetë përsëri 80 000 në çdo ndeshje shtëpiake. Për më tepër, po shtohen klubet e tifozëve të Dortmundit nëpër botë duke arritur në plot 872, madje 15 grupime të reja janë krijuar vetëm në SHBA. Kjo është një nga arsyet që skuadra e trajnerit Lysien Favre do të udhëtojë në Amerikë ku do të ndeshet edhe me Liverpulin e ish-trajnerit Jurgen Klop.
Sfidanti.al