Spektakël me Anastasian, por Bajerni nuk i shpëton kritikave!

Nuk bëri përshtypje të mirë ajo që ndodhi në “Alianc Arena” në pushim të ndeshjes së fundit të sezonit në Bundesligë. Drejtuesit e Bajernit kishin menduar diçka të veçantë për lamtumirën e dy prej yjeve të tyre, Filip Lahmit dhe Shabi Alonsos, por duket se diçka bënë gabim. Këngëtarja e njohur amerikane, Anastasia, ishte pajtuar që të këndonte pikërisht në pushimin e takimit ndaj Frajburgut, veçse minikoncerti i saj zgjati më shumë sesa 15 minutat normale të një pushimi ndeshjeje futbolli.

Futbollistët e Frajburgut u ankuan për vonesën, ndërsa për ta takimi ishte i rëndësishëm, si mundësia e fundit për t’u kualifikuar për në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm. “Nuk u ndjeva mirë që ndeshja nuk filloi sipas orarit të përcaktuar, – tha trajneri i miqve, Kristian Shtraih, – për skuadrën time kjo pati ndikim negativ. Është çmenduri të jesh në stadium dhe të shtysh lojën duke pritur një këngëtare”.

Kritika Bajerni pati edhe nga brenda. Arjen Roben u shpreh se “kjo nuk duhej të ndodhte”. “Më erdhi keq për Frajburgun pasi ekipi po luante për diçka, – tha holandezi, – festimet janë pjesë e futbollit, por duhet respektuar skuadra që pret të hyjë në fushë”. Edhe Mats Humels nuk ishte dakord, dhe theksoi se “gjithmonë ka pasur festime rreth stadiumit, por tani po pushtojnë edhe qendrën e tij, sinqerisht diçka që nuk më duket e këndshme”.

Sfidanti.al