S’ka Kupë Gjermania pa tronditje, Sarbrykeni eleminon Këlnin!

Dikur, nja 70 vjet më parë, arriti madje edhe të dilte nënkampion i Gjermanisë, por jetën zakonisht e ka kaluar në nivele të ulëta. Ashtu është edhe sot, pasi Sabrykeni (saktësisht lexohet Zarbryken) është pjesë e kategorisë së katërt, veçse kjo nuk e pengoi që të eleminonte një skuadër me emër të shkëlqyer si Këlni. Natyrshëm, kjo ndodhi në Kupën e Gjermanisë, në ndeshjen e luajtur në “Herman Nojberger Shtadion”, që u fitua nga vendasit me shifrat 3-2. Ishin plot 6 800 tifozë që ndoqën sfidën historike, edhe pse ajo nuk u luajt në “shtëpi”, pasi në “Ludvigparkshtadion” po kryen punime. Nga Këlni (i quajtur ndryshe “qyteti i Katedrales”) kishin ardhur 1 100 tifozë, por ata nuk u larguan të lumtur.

Kristofer Shorh kaloi vendasit në epërsi në 53’, pastaj Jurher realizoi për 2-0, katër minuta më vonë. Këlni nuk u dorëzua dhe arriti të barazonte falë rrjetave të Hektorit dhe Terodes, por pikërisht në minutën e 90-të ndodhi mrekullia, kur Tobias Jenike goditi për 3-2. Në radhët e Sarbrykenit ishte edhe shqiptari i Kosovës, Fanol Përdedaj që mori karton të verdhë. Menjëherë pas ndeshjes, revista “Kiker”, titulloi: Turp perfekt për Këlnin, Bohumi ecën përpara!

Sfidanti.al