Rekordet e Bundesligës i paska Verderi, ja “i paoksidueshmi” Pizarro

Ishte 24 gushti i vitit 1996, dhe një lojtar i respektuar i Verderit të Bremenit vendosi rekordin e moshës më të vjetër si golshënues në Bundesligë. Emri i tij ishte Miroslav “Mirko” Votava, çek nga lindja, por gjerman nga pasaporta, që shënoi në portën e Shtutgartit, ndërsa ishte 40 vjeç e 121 ditë.

Duhej të vinte 16 shkurti i vitit 2019, pra dita e djeshme, që rekordi i “më plakut” shënues në kampionatin gjerman të thyhej. Nderi i takoi sërish një të vjetri të Verderit, tashmë jo të drejtuar nga Oto Rehageli legjendar, që të ngrinte “stekën” edhe më lart.

Klaudio Pizarro, sulmuesi nga Peruja, shënoi ndaj Hertës në moshën 40 vjeç e 136 ditë, pra 15 ditë më i vjetër se Votava. Interesant fakti se Pizarro nisi karrierën si profesionist në 1996, sezonin kur Votava vendosi rekordin e tij.

Pizarro mbetet ende shënuesi më i mirë i huaj në historinë e Bundesligës, që kur theu rekordin e Zhovani Elberit, por tashmë pritet të kalohet, nga dita në ditë, prej Robert Levandovskit. Peruviani ka 194 rrjeta, ndërsa polaku i Bajernit ka 193.

Sfidanti.al