Protestë dhe disfatë, trajneri i Frankfurtit flet si “kuzhinier”!

E keqja kishte nisur që përpara sesa skuadra të dilte në fushë ndaj Arsenalit. Ajntrahti i Frankfurtit nuk pati me vete, 100 për qind, tifozët e tij, të cilët ishin të zemëruar për atë që dukej si vendimi i klubit për të emëruar Andi Mëlerin si drejtues të departamentit të të rinjve. “Një gjë e tillë nuk mund të jetë as shaka me fjalë, – u shprehën ultrasit, – ai ka një histori të gjatë me gënjeshtra dhe shkelje të fjalës dhe deklarata distancimi”. Në pushim të ndeshjes, një banderolë 55 metra e gjatë u shpalos në tribunë, ku mes të tjerave ish-kampioni i botës dhe i Europës cilësohej si “bir k…”.

Më e keqja do të vinte më pas, kur Arsenali triumfoi 3-0 në stadiumin e Frankfurtit, duke “fshirë” gjysmëfinalisten e vjetshme të Ligës së Europës. Ishte humbja e parë e Frankfurtit pas 16 ndeshjesh europiane, ndërsa për Arsenalin shënuan Uillok, Saka dhe Obamejang. Trajneri i Frankfurtit, Adi Hyter, i doli në mbrojtje lojtarëve të tij. “Pritshmëria për ne ishte tepër e madhe, – tha ai, – por, ne nuk mund t’i zëvendësojmë kaq shpejt lojtarë të tillë që janë larguar si Joviç, Haler apo Rebiç, dhe të cilët shënonin golat. Tani për tani, do të jemi të detyruar “të pjekim bukë më të vogla”.

Sfidanti.al