Përse menaxheri i Nojerit viziton fshehtas Bajernin, këto ditë?!

E përditshmja “Bild” nuk dëshiron të japë shumë hollësi, të paktën jo në kopertinë. Tabloidi mjaftohet të thotë se agjenti i Manuel Nojerit ka bërë një vizitë sekrete tek Bajerni, ndonëse është e sigurt se e di arsyen. Natyrisht, menaxheri i kapitenit nuk trokiti në derën e klubit në Rrugën Zebener sepse e kishte marrë malli për “të zotët e shtëpisë”. Në profesionin e tij kjo as nuk mund të mendohet, ndaj koha e shpenzuar ishte për interes. Cili do të jetë fati i klientit të tij?

Nojer vërtet është portieri titullar i Bajernit dhe kapiteni i ekipit, po ashtu titullar dhe kapiten i kombëtares gjermane, por vitet ikin dhe vlera e sportistit bie. Në Mynih pritet të vijë një portier i ri nga Shalke, Nybel, dhe po ashtu nga Spanja shkruajnë se Ter Shtegen po bën paksa naze ndaj Barcelonës, me shpresën se mund të transferohet në një ditë jo të largët në “Alianc Arena”. Me një gur do të vriste dy zogj, siguronte Bajernin dhe po ashtu postin e titullarit tek Gjermania. Ja pra, që agjenti i Nojerit paska pasur shumë për të biseduar në “Zebener Shtrase”.

Sfidanti.al