Nuk e mendon që stadiumi i tij i dashur, “San Siro” të jetë ai që ka qenë dikur. Një spektakël me 80 000 “shpirtëra” në impiantin historik milanez duhet të jetë kujtim i së kaluarës, dhe drejtuesi i sotëm i Monzës, gjykon se koronavirusi e ka ndarë kohën në dysh, siç bën plugu me tokën. “E shoh të vështirë që “San Siro” të jetë sërish me 80 000 spektatorë që të mblidhen aty, – thotë ai, – besoj se do të luhet për shumë kohë me dyer të mbyllura, dhe më pas do të ketë një karrige po, dhe një jo”.
Ish-administratori i deleguar i Milanit, që vazhdon të jetë krahu i djathtë i Silvio Berluskonit, ka disa kritika për qeverinë (ndoshta paksa elektorale), që sipas tij, duhej të kishte marrë masa më shpejt, dhe njerëzit duhej të ishin izoluar. Ai është i shqetëuar për jetët e humbura, që llogariten ende në qindra njerëz në ditë, por edhe për ekonominë që do të humbasë 100 miliardë euro në muaj. “Nuk e di nëse konsumi do të jetë si më parë, – dyshon Galiani, – le të mendojmë për turizmin, pasi në verë nuk do të kemi turiste, as italianët nuk do t’i kemi, për shkak të problemeve financiare, por edhe sepse nuk do të ketë më leje nga puna. Turizmi jep 7 për qind të GDP-së italiane. Gjithsesi, të shpëtojmë njerëzit, pastaj të tjerat. Unë gjykoj se do të ketë një mënyrë jetese pas koronavirusit, dhe një mënyrë jetese që ka qenë përpara tij”.
Sfidanti.al