Përgjigja e Robenit flet shumë për fatin e Ançelotit tek Bajerni!

A është skuadra në krah të Karlo Ançelotit? Kjo ishte pyetja që iu bë Arjen Robenit pas disfatës së rëndë në “Park dë Prensis”, por pakkush (apo askush) nuk e priste përgjigjen e holandezit. “Nuk do të përgjigjem për këtë pyetje, – reagoi ai menjëherë, – humbja ishte e rëndë, le të flasim për këtë”.

Këto pak fjalë të Robenit tregojnë qartë se në çfarë gjendje ishte Bajerni që shkoi përballë skuadrës që ka bërë më shumë zhurmë këtë sezon. Ashtu siç dyshohej, italiani e kishte humbur lidhjen me disa nga lojtarët kryesorë, dhe nuk arriti ta rregullonte. Robert Levandovski dhe Tomas Myler ishin të pakënaqur me të, diçka e rëndë pasi bëhet fjalë për dy nga lojtarët me më shumë influencë në skuadër.

Duket se as Roben apo Riberi nuk kanë qenë të lumtur, veçse, siç thekson një analizë e gazetës “Marka”, Ançeloti nuk ishte fajtor për gjendjen. “Bajerni është ky që është, dhe nuk është fajtor trajneri, – shkruan gazeta spanjolle, – në ekip nuk ka yje të mëdhenj siç kanë Reali, PSG apo Barcelona, Levandovski kërkon të largohet, Roben e Riberi janë të vjetër dhe Tomas Myler nuk shkon me skemat e italianit”.

Vërtetësia e analizës së “Markës” do të provohet kur bavarezët të nisin ndeshjet nën drejtimin e zëvendësuesit të përkohshëm të Ançelotit, Vili Sanjolit.

Sfidanti.al