Nëse Manuel Nojeri do të jetë i detyruar që të mos marrë pjesë në Botërorin e Rusisë, vitin e ardhshëm, ish-portieri legjendar gjerman Oliver Kan konsideron se atë mund ta zëvendësojë denjësisht portieri i Barcelonës, Mark-Andre Ter Shtegen. “Ne, tradicionalisht, kemi pasur portierë shumë të mirë në Gjermani, madje edhe kur mungon portieri nr.1. Më 2010, Rene Adleri duhet të ishte portieri nr.1 i Gjermanisë, por ai u detyrua që të mos marrë pjesë në Botërorin e atij viti, për shkak të një dëmtimi serioz, kështu që atë e zëvendësoi në portë Manuel Nojeri që luajti shkëlqyeshëm në atë Kupë Bote. Kjo është arsyeja se përse unë mendoj se Mark-Andre Ter Shtegeni do të mund ta zëvendësojë atë me dinjitet në Botërorin e Rusisë, nëse Nojeri nuk do ta marrë veten në kohën e duhur”, tha Oliver Kani.
Porteri 31-vjeçar i Bajernit të Mynihet, Manuel Nojeri, ka dëmtuar shputën e këmbës dhe, muajin e kaluar, u tha se atij do t’i duhet që të qëndronte jashtë fushës gjashtë muaj. Një mungesë e tillë e gjatë, sigurisht, që mund të reflektohet në formën e Nojerit dhe duket e vështirë që ai të bëhet gati maksimalisht për turneun final të Kupës së Botës Rusi 2018.
Sfidanti.al