Mançester Junajtid thërret me nostalgji: Ku je Sër Aleks?

Ka katër vjet që në stolin e preferuar në “Old Traford” nuk ulet legjenda. Mançester Junajtid u bë kohë pa Sër Aleks Fergusonin, dhe kujtimi e sukseset e tij nuk mund të harrohen kaq lehtë. Sidomos, kur në 4 sezonet e fundit, Junajtid ka fituar shumë pak, edhe ato, trofe të “dorës së dytë” si Kupa e Ligës, Kupa e Anglisë, Superkupa apo Liga e Europës. Shumë pak në krahasim me 7 tituj kampion të Sër Aleksit, dy Champions apo Superkupa të Europës.

Që nga 2013-ta, në stolin e “djajve të kuq” janë ulur Dejvid Mojes, Luis Van Gal dhe Zhoze Murinjo, të cilët të tre së bashku kanë shpenzuar plot 630 milionë paund stërlina për të përforcuar skuadrën, baraz me 710 milionë euro. Një pasuri e vërtetë, por “frytet” kanë qenë të varfra. Padyshim, tifozët dhe drejtuesit e klubit brenda vetes thërrasin me nostalgji “ku je Sër Aleks Ferguson, përse na le vetëm?”

Sfidanti.al