Ofendime për t’u larguar? Një suedez sjell kaos tek Lajpcigu

Emil Forsbergu luajti vetëm 20 minuta në ndeshjen më të madhe të vitit për Lajpcigun, atë në fushën e vet ndaj Bajernit. Lumturia ishte thuajse e plotë tek gjermanët e Lindjes pas fitores 2-1, veçse ishte edhe diçka që e kishte prishur pak atmosferën. Bëhet fjalë për përplasjen e yllit suedez me trajnerin Hazenhytel, konflikt që kishte nisur që në stërvitje.

Trajneri e kaloi Forsbergun në ekipin B (tek rezervat), dhe futbollisti iu përgjigj duke i ulëritur e duke e ofenduar dy herë me fjalë që “nuk i zë lapsi”. Përgjigja e Hazenhytelit ishte lënia përfundimisht në stol e suedezit dhe aktivizimi i tij vetëm 20 minuta.

Përse ky konflikt tek Lajpcigu? Gazeta “Bild” informon se hatërmbetja nisi që vjet në verë kur Forsbergu u kërkua nga Milani dhe ai deshi të shkonte në Itali, por klubi nuk e la. “Ata duan që të jetojnë duke prishur ëndrrën e Emilit”, – u shpreh këshilltari i lojtarit, Hasan Çetinkaja.

Edhe këtë verë, Forsbergu dëshiron të largohet dhe besohet se e pëlqejnë Juventusi dhe Arsenali, madje flitet edhe pë Bajernin. Gjithsesi, drejtori sportiv i Lajpcigut, Ralf Rangnik, thotë se “përveç Nabi Keitasë që do të shkojë tek Liverpuli, ne nuk do të lejojmë asnjë lojtar tjetër që të largohet”.

Sfidanti.al