Nagelsmani: Të shkoj tek Dortmundi? Mendoj vetëm që ta mund nesër!

Borusia e kërkoi që kur ishte tek Hofenhajmi, por asgjë nuk ndodhi. Julian Nagelsmani, trajner më modern dhe simpatik gjerman i epokës, mendon se sërish nuk do të ketë “tym të bardhë” që ai të shkojë tek Dortmundi sezonin e ardhshëm. “Situata është e njëjta siç ishte kur unë drejtoja Hofenhajmin, – thotë trajneri i Lajpcigut, – mesa duket as nuk shkojmë me njëri-tjetrin dhe ndoshta as nuk kemi nevojë për njëri-tjetrin”. Nagelsmani, gjysmëfinalist i vjetshëm në Champions, ka duelin direkt me Dortmundin këtë fundjavë. Sfida luhet të shtunën në orën 18:30 në fushën e Lajpcigut, dhe trajneri vendas synon fitoren. “Jemi në pozita të mira dhe kemi besim, – tha ai, – jemi 7 pikë larg rivalit më të largët për zonën Champions”. Më me rëndësi, Lajpcigu është në vend të dytë dhe vetëm 2 pikë larg Bajernit kryesues. Gjithsesi, për të shtunën Henrihs, Konate, Klajvert, Nkunku dhe Kampl nuk luajnë, ndërsa mbrojtësi Mukiele më në fund është gati.

Sfidanti.al