Levandovski befason Bajernin, paraqet kërkesë zyrtare për transferim!

Duket se, mbas ardhjes së trajnerit kroat Niko Kovaç në krye të Bajernit të Mynihut, ky i fundit do të pësojë ndryshime të mëdha. I pari, midis tyre, mund të jetë largimi i sulmuesit dhe golashënuesit më të mirë të klubit bavarez, Robert Levandovski.

Ky futbollist polak dhe agjenti i tij po tregohen kokëfortë në synimin e tyre dhe këtë ata e konfirmuan, duke i paraqitur kryesisë së klubit në fjalë kërkesën zyrtare për largimin e Levandovskit gjatë verës. “Bildi” gjerman shkruan se tre klube kanë treguar një interesim të madh për shërbimet e futbollistit polak, PSZH-ja, Çelsi dhe Mançester Junajtidi. Sidoqoftë, nuk duhet të përjashtohet as Reali i Madridit që ka shprehur në të kaluarën e afërt dëshirën që ta ketë këtë lojtar në radhët e veta.

Burime brenda klubit bavarez bëjnë të ditur se Bajerni, gjatë kësaj verë, ka në plan që “të çlirohet” nga disa futbollistë dhe, veç Levandovskit, mund të largohen edhe Bernati, Boatengu, Vidali, Tiago Alkantara…

Sidoqoftë, klubi gjigant gjerman kërkon për golashënuesin e vet më të mirë (Levandovskin)  jo më pak se 120 milionë euro, një shumë, të cilën i pari e refuzoi Çelsi. Vetë sulmuesi polak, në disa raste, ka thënë kohët e fundit se ai ka nevojë të ngutshme që të ndërrojë mjedis.

Sfidanti.al