Heroizmi i Lebronit nuk mjafton, Golden Stejt fiton të parën!

Mbeteshin një grusht sekondash deri në përfundim dhe XhejEr Smith kishte topin për Kavaliersët pranë koshit kundërshtar, në shifrat 107-107. Gjithkush priste gjuajtjen finale, por ai vrapoi duke përplasur topin në parket derisa u dëgjua sirena që mbylli kohën e rregullt. Lebron Xhejms vuri duart në kokë dhe gjithçka ishte e qartë, Smith kishte menduar se Klivlendi kryesonte me 1 pikë diferencë dhe se po e fitonte ndeshjen.

Kaq u desh dhe në kohën shtesë Golden Stejti u bë i papërmbajtshëm, siç ka qenë gjithë këta vite, duke fituar 124-114 finalen e parë të madhe të NBA-së, luajtur në Arenën e vet në Oklend. Skuadra kaliforniane hodhi hapin numër 1 drejt mbrojtjes së titullit, dhe drejt shpalljes kampion për herë të tretë në 4 vitet e fundit.

Lebron Xhejms padyshim që ishte njeriu më i dëshpëruar në fushë. Sapo kishte realizuar ndeshjen e tij më të mirë të të gjithë karrierës në finalet e NBA-së dhe sërish kishte humbur. Superylli 33-vjeçar shënoi 51 pikë, duke u bërë i dyti lojtar i gjithë historisë që realizon më shumë se 50 pikë në një ndeshje të finales së NBA-së bashkë me Majkëll Xhordanin. Po ashtu, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 8 asistë, duke qenë i vetmi lojtar me 51 pikë, 8 tabela e 8 asistë në një ndeshje finale në NBA.

Ai thuajse fitoi, por gabimi i Smithit, dhe talenti pa fund i Golden Stejtit bënë të vetën. Stefën Kërri shënoi 29 pikë për vendasit, po ashtu kapi 6 topa në tabela e shërbeu 9 asistë. Kevin Durant pati 26 pikë e 9 topa në tabela, Klej Tompson shtoi 24 pikë, duke realizuar 5 kosha tripikësh, ndërsa Drejmond Grin u përgjigj me 13 pikë, 11 topa në tabela e 9 asistë.

Finalja e dytë luhet po në Oklend, duke u gdhirë e hëna sipas orës së Shqipërisë.

Sfidanti.al