Ishte njoftuar nga presidenti i Federatës, Grindel, ndërsa që nga sot nis të realizohet. Joakim Lëv, trajneri i Gjermanisë, do të diskutojë shkaqet e dështimit në Kupën e Botës, në takim me disa nga drejtuesit e klubeve të Bundesligës. Lëv, së bashku me menaxherin e DFB-së, Oliver Birhofin, dhe me Sekretarin e Përgjithshëm, Kurtius, do të bëjë pyetje, por edhe do t’u përgjigjet pyetjeve.
Ai do të takohet me drejtues të tillë si Salihamixhiç i Bajernit, Fredi Bobiç i Frankfurtit, Maks Eberl i Mynshengladbahut, Mikael Prec i Hertës, Stefan Rojter i Augsburgut, Johen Zaier i Frajburgut, Cork i Dortmundit, Hajdel i Shalkes, Jonas Bolt i Leverkuzenit dhe Shmadke i Volfsburgut.
Lëv besohet se do të diskutojë me Bundesligën mungesën e pasionit dhe dëshirës nga lojtarët dhe shkaqet se përse ndodhi, po ashtu do të analizohen taktika më të zhdërvjellëta, dhe jo vetëm zotërim topi. Në 29 gusht, trajneri do të paraqesë rezultatet e analizës, si dhe do të japë listën e ekipit për ndeshjen ndaj Francës në Ligën e Kombeve.
Sfidanti.al