Kovaç: Drohterzeni për Bajernin, është si ndeshje Championsi

Spektakli i futbollit duhet të jetë në nivelin më të lartë, edhe kur “nëpër këmbë” përzien disa “vulëhumbur” si ekipet amatore të kategorisë së katërt. Në pritje të dueleve në Bundesligë me Dortmundin apo Shalken, dhe të klasit maksimal të Championsit, Bajerni duhet të humbë kohë dhe të merret me një “vogëlsirë” si SV Drohterzen/Aseli.

Gjithsesi, trajneri i bavarezëve, Niko Kovaç, nuk dëshiron të dëgjojë për nënvleftësim. “Ndeshja e Kupës për ne është po aq e rëndësishme sa një ndeshje Championsi, – tha kroati, – kundërshtari është jashtëzakonisht shumë i motivuar, dhe në stadiumin e vet do të përpiqet të japë shpirtin në fushë”.

I njëjti edhe motivi i kapitenit Manuel Nojer: “Ne jemi profesionistë dhe duhet t’i luajmë të gjitha ndeshjet njësoj, të mos harrojmë se objektivi ynë është finalja e Kupës në Berlin dhe nuk duhet të gabojmë”. Gjithsesi, përqëndrimi nuk do të jetë i lehtë ndaj një ekipi amator, që ndodhet në kategorinë e katërt, dhe që vitet e kaluara ka qenë edhe në kategorinë e pestë apo të gjashtë.

Sfidanti.al