Joakim Lëv “përzien kartat” për sfidat ndaj Spanjës e Brazilit

Do të jenë duelet më të mëdhenj të mundshëm, edhe pse jo zyrtare. Gjermania, kampione e botës, do të ndeshet me Spanjën dhe Brazilin, në dy miqësore më shumë se luksoze, ndërsa përgatitet për të mbrojtur titullin në Rusi. Trajneri Joakim Lëv po “përzien kartat” për të provuar lojtarët dhe për të gjetur skemat më të mira.

Ndaj Spanjës në Dyseldorf, titullar do të jetë Mark-Andre Ter Shtegen i Barcelonës, edhe pse kundër Brazilit në Berlin nuk ka asnjë siguri. Lëv po punon me lojtarë të tillë si Ozil, Tomas Myler, Sane, Kros apo Draksler. Mungesat e vetme janë ato të Marko Rojsit dhe Mario Gëces, dy lojtarëve të Dortmundit që nuk u preferuan këtë herë.

Shqetësim më vete është për Manuel Nojerin, portierin kryesor që ende nuk mund të stërvitet në maksimum. “Ai është në 90 për qind dhe besohet se shpejt do të jetë në 100 për qind, – thotë trajneri i Gjermanisë, – nuk do të jetë e lehtë të përfshihet në listë për Botërorin, pasi nuk ka dhënë kontribut në eleminatore, por një si Nojeri nuk mund të mbetet jashtë”.

Sfidanti.al