Nuk shkëlqen në gjithçka, madje në Gjermani thonë se ai ka rezultatin “3-2”, por gjithsesi Niklas Zyle mund të quhet një konfirmim tek Bajerni. Mbrojtësi i qendrës, që uli në stol Zherom Boatengun, ka tre karakteristika pozitive pas sezonit që e mbylli si kampion dhe si titullar. Revista “Kiker” e lavdëron për lojën e tij luftarake, ashtu siç duhet të jetë ajo e një qendërmbrojtësi, pasi Zyle ka fituar 68.6 për qind të dueleve, pra shumicën absolute. Kjo është edhe më mirë se shoku i tij i repartit, Mats Humels me shumë më tepër përvojë, që ka fituar 66.8 për qind.
Zyle vlerësohet lart për shpejtësinë, madje është lojtari më i shpejtë i Bajernit në edicionin e kaluar, duke arritur në 34.99 km/orë, pra gati 35 kilometra në orë. David Alaba mban vendin e dytë me 34.49 km në orë, ndërsa Tiago Alkantara është me diferencë i treti, me 31.13 km në orë. Së fundi, Zyle është i saktë në pasime, me 92.9 për qind, veçse kjo nuk jepet si diçka e jashtëzakonshme, pasi një mbrojtës qendre zakonisht jep topa të thjeshtë horizontal apo vertikalë. Anët negative të Zyles janë që nuk është shumë në kontakt me topin dhe që gjuan rrallë drejt portës, por kjo është e kuptueshme.
Sfidanti.al