Duhej t’i ndodhnin kaq shpejt e shpejt, të dyja të këqijat. Nuk dihet cili lajm “mori dhenë” i pari, ai i refuzimit nga Bajerni apo dëmtimi, veçse që të dy janë të vërtetë. Hames Rodrigez është larguar nga Mynihu dhe ka shkuar për në Madrid, së pari për të mirën e shëndetit të tij, për t’u kuruar pas dëmtimit të pësuar në gju. Sipas mediave gjermane, ylli kolumbian do t’i thotë “lamtumirë” vitit 2018, bashkë me 6 ndeshje në Bundesligë (Dyseldord, Verder, Nyremberg, Hanover, Lajpcig, Frankfurt), si dhe dy dueleve në Champions. Ndoshta, edhe nuk do të ishte përdorur shumë, pasi trajneri Niko Kovaç nuk po e preferonte së fundmi.
Lajmi tjetër thotë se Bajerni nuk do të shfrytëzojë klauzolën për ta blerë përfundimisht kartonin e Hamesit. Jo shpenzim të 37 milionë eurove, për një lojtar që Reali e mori për 75 milionë pas Botërorit 2014 në Brazil. Ndryshe nga “lulëzimi” me Jup Hajnkesin, Rodrigez nuk po gjen veten me Kovaçin, dhe po ashtu nuk do të kishte shanse të mira nëse në “Alianc Arena” do të vinte i përfoluri Zinedin Zidan. Pra, mbetet kthimi në Madrid, dhe shpresa për t’u ujdisur me Santiago Solarin.
Sfidanti.al