Gosens ëndërron Bundesligën, por vetëm një klub mund ta marrë!

Situata me koronavirusin është e rëndë dhe nuk mjafton një shkëlqim katërjavor në Europian për të bindur këdo se ia vlen të shpenzohet për ty. Robin Gosens e ka të qartë këtë gjë, ndonëse ylli i Gjermanisë mbetet me ëndrrën e tij për të luajtur një ditë në Bundesligë. Futbollisti i Atalantës është kthyer në protagonist në Euro 2020, dhe Juventusi në Itali apo Barcelona në Spanjë janë hedhur në sulm për të. Mediat gjermane shkruajnë se edhe klube të Bundesligës mund ta synojnë, por janë shumë të paktë ata që mund të shpenzojnë 35-40 milionë euro për kartonin. Kaq kërkon Atalanta, ndërsa në Gjermani nuk është traditë të bësh harxhe të tilla. Vetëm Bajerni, ndoshta edhe Lajpcigu, mund të shtrëngohen për ta bërë një gjë të tillë, ndërsa Dortmundi ka politikën e afrimit të talenteve të rinj. Spekullohet për interesim të Bajernit sepse ish-presidenti Uli Hënes dhe shefi i “skautëve” Marko Nepe ishin në “Alianc Arena” ku Gosens shkëlqeu në fitoren 4-2 të Gjermanisë ndaj Portugalisë në Euro 2020.

Sfidanti.al