Kerem Demirbej është një djalë krenar me origjinë turke, por që luan për kombëtaren e Gjermanisë. Luan edhe me Hofenhajmin në Bundesligë, ku në ndeshjen e fundit pati një aventurë kurioze. Në një moment të ndeshjes ndaj Shtutgartit, ai mori pjesë në një aksion që solli golin e barazimit 1-1, por që u anulua nga gjyqtarja Bibiana Shtajnhauz. Një mëkat, por ja që ndodhi. Demirbej i rrëmbeu topin portierit të Shtutgartit dhe vrapoi drejt portës kundërshtare. Ai vuri re se ishin 3 lojtarë të ekipit të tij dhe vetëm një mbrojtës (portieri kishte mbetur prapa) ndaj edhe u tregua altruist duke pasuar për kroatin Kramariç që e dërgoi topin në rrjetë.
Rregulli i pozicionit jashtë loje thotë se në momentin e pasimit duhet të ketë dy lojtarë mes kundërshtarit dhe portës, por kishte vetëm një dhe gjyqtarja kishte të drejtë. Bibiana i sqaroi Keremit sesi ishte ky rregull dhe mediat gjermane u tallën duke thënë se “një lojtar i kombëtares duhet ta dijë”. Ata i kujtuan Demirbeut se në 2015 e kishte ofenduar në distancë Bibianën duke thënë se “femrat nuk kanë punë me futbollin”.
Sfidanti.al