Festa e Kupës së Gjermanisë, Bajerni shpëtoi “lëkurën” në Drohterzen!

Turpi i kishte ndodhur gati çerek shekulli më parë. Bajerni është vërtet sunduesi i vetëm dhe i plotfuqishëm i futbollit gjerman, por në 1994 mori njollën e zezë të eleminimit në Kupën e Gjermanisë, prej amatorëve të Festenbergsgrojtit. Skuadra e të famshmit Xhovani Trapatoni u mund 0-1, dhe frika nuk ishte aspak e vogël se kjo mund t’i ndodhte edhe yjeve të trajnerit Niko Kovaç, në fushën e ekipit të kategorisë së katërt, Drohterzen/Asel.

Në stadiumin e vogël në Gjermaninë e Veriut, Kedinger, Kovaç u duk krejt sportiv, duke bërë shaka edhe me fotoreporterët, por tensioni ishte i brendshëm. Në po këtë stadium, 31 vjet më parë, Bajerni i Mateusit, Brehmes e Mikael Rumeniges, ishte mundur 3-5 në një miqësore me një seleksion të ekipeve të zonës, përfshi edhe lojtarë të Drohterzenit.

A do të ndodhte sërish kështu? Ndeshja e Kupës, në të vërtetë, ishte më shumë një festë për publikun vendas, që yjet e Bajernit i kishte parë vetëm në televizor, ose nëse kishin shkuar në “Alianc Arena”. Përballë ishte një klub që vlen 1.2 miliardë dollarë, dhe që ka border rrogash prej 180 milionë eurosh në vit, dhe një shoqëri e vogël me buxhet vetëm 400 000 euro në sezon.

Futbollistët e shtëpisë e kishin marrë ndeshjen ashtu siç ishte, si një fat i madh për të cilin duhej të ishin të kënaqur, dhe të bënin shaka. Gjithsesi, pavarësisht epërsisë së madhe të bavarezëve, e papritura edhe mund të kishte ndodhur. Vetëm këmba e Manuel Nojerit shmangu dizavantazhin.

Nervat u ngritën në qiell kur u anulua një gol për pozicion jashtë loje, dhe Tomas Myler nuk e përmbajti dot veten. Trajneri Kovaç shkeli çdo normë dhe shpëtoi mirë pa marrë karton të kuq. Ja pra, që nuk paska qenë e lehtë të luhet në fushën e thuajse amatorëve. U desh gjithë klasi i Rberisë e Levandovskit që Bajerni të fitonte.

Vërtet shpëtoi mirë, pasi të papriturat janë të shpeshta në Kupën e Gjermanisë, dhe shembulli më i mirë ishte eleminimi të shtunën i trofembajtësit të Kupës, Ajntrahtit të Frankfurtit, në fushën e një tjetër ekipi të kategorisë së katërt, Ulmit.

Sfidanti.al