Këtë herë mesa duket pati ndonjë tërheqje në pulpën e këmbës së majtë. Në nëntor i ndodhi po në të majtën, veçse në kofshë. Lysien Favre gjithnjë e më shumë po duket si ndonjë futbollist, e jo si trajneri i Borusias së Dortmundit, ndërsa ai po dëmtohet më shpesh sesa lojtarët e tij. Tekniku 61-vjeçar zviceran ndonjëherë harron moshën dhe kërcen vrullshëm nga gëzimi, kur skuadra e tij shënon goli fitoreje.
I ndodhi ditën e djeshme kur Erling Halandi realizoi golin e fitores në fushën e Fortunës së Dyseldorfit në nisje të minutës së gjashtë shtesë. Më herët, në nëntor të vitit të kaluar, u dëmtua sepse festoi golin e shënuar ndaj Borusias së Mynshengladbahut në minutën e 80-të nga Julian Branti. Gjithsesi, pavarësisht dëmtimeve, Favreja mund të jetë i qetë pasi lajmet në mediat gjermane janë që ai do të vazhdojë si trajner i Dortmundit edhe sezonin e ardhshëm. Ai u vu në dyshim pas humbjes me Bajernin, por vendi i dytë pas këtij Bajerni është diçka e pranueshme. Aq më tepër me 20 fitore, 6 barazime e 5 humbje në një kampionat të fortë si Bundesliga.
Sfidanti.al