Dortmundi qorton trajnerin Favre: Pse dorëzohesh për titullin?!

Dy gjermanë vendosën t’i jepnin një leksion qendrueshmërie një zvicerani francez. Ata janë shefi ekzekutiv i Dortmundit, Hans-Joahim Vacke, dhe menaxheri i klubit, Mihael Cork, ndërsa i qortuari është trajneri i tyre, Lysien Favre. Pas humbjes së hidhur në derbin ndaj Shalkes, trajneri doli para kamerave dhe tha “me duart lart”: Shanset tona për titull nuk ekzistojnë më, kjo për mua është e qartë, edhe pse është e vështirë që ta pranoj”.

Një ditë më vonë, Bajerni mezi shpëtoi “kokën” në fushën e Nyrembergut, me një barazim 1-1, dhe diferenca mes dy ekipeve të kreut është vetëm 2 pikë. Kur mbeten edhe 3 ndeshje për t’u luajtur në Bundesligë, Vacke dhe Cork vendosën ta qortojnë Favren.

“Lysieni i tha ato fjalë për shkak të emocionit, menjëherë pas përfundimit, – tha shefi ekzekutiv, – gjithsesi, ne dorëzohemi vetëm atëherë kur është e pamundur matematikisht. Për më tepër, këtë e kemi detyrim edhe për tifozët”. Corku shtoi se “ne nuk jemi ëndërrues, por nuk do ta ngremë flamurin e bardhë, do të bëjmë gjithçka në tri ndeshjet e mbetura, dhe këtë duhet ta bëjë kushdo”.

Gazeta “Bild” shkruan se sjellja më e fundit e trajnerit është tipike për të, pra duket se Favre e paska zakon të dorëzohet para kohe. Për më tepër, “Bildi” rreshton ndeshjet me kundërshtarë kryesorë në fazën e dytë, të cilat Dortmundi i dështoi, si 0-5 ndaj Bajernit, 2-4 me Shalken, eleminimi prej Verderit në Kupën e Gjermanisë, dhe eleminimi nga Totenhemi në Champions.

Sfidanti.al