Dortmundi nuk fiton dot kur Halandi nuk shënon!

Kjo nuk ndodh vetëm në kupë, por ja që erdhi edhe në Bundesligë. Borusia e Dortmundit pësoi humbjen e parë të sezonit, që kur mori Erling Halandin në radhët e veta, dhe kjo në një ndeshje spektakolare në fushën e Leverkusenit. Përfundoi 4-3 për vendasit, dhe kjo konfirmoi faktin pak a shumë të ditur se Bajerni do të ketë rival vetëm veten në luftën për titull. Ndoshta edhe Lajpcigun, nëse gjermanët e Lindjes ia dalin të paktën të marrin një pikë në Mynih.

Përballë në “BayArena” ishin dy ekipe me mjaft lojtarë të rinj e të talentuar. Kevin Foland ishte më i miri në fushë duke shënuar dy gola për Leverkusenin, ndërsa Halandi nuk mundi të linte shenjë, edhe pse ishte titullar. Vendasit kryesuan 1-0 me Folandin, por Humels dhe Emre Xhan (debutoi me gol) përmbysën shifrat. Foland barazoi, Gerrero kaloi sërish Dortmundin përpara, por Bejli dhe Lars Bender vulosën shifrat. Në fushë ishin Brant, Hakimi, Sanço e Haland për Borusian, si dhe talenti Kai Haverc për vendasit. Bajerni kryeson Bundesligën me 42 pikë ndaj 41 të Lajpcigut, ndërsa Dortmundi mbetet me 39 dhe me një ndeshje më shumë.

Sfidanti.al