Ji Dong-uon nuk është nga ata emra që i bën njerëzit të hidhen përpjetë, por ia doli të dëshpëronte pa fund tifozët e Borusias së Dortmundit. Koreanojugori, që më parë vishte fanelën verdhezezë dortmundase, ishte “fajtori” që kryesuesi i Bundesligës pësoi disfatë dhe mund ta humbasë vendin e parë në renditje.
Ji shënoi dy golat për Augsburgun që fitoi 2-1, duke i dhënë vendasve një sukses të merituar ndaj një pretendenti për titull, që i kishte harruar “kredencialet” në shtëpi. Një gol i Pako Alkaserit ishte krejt i pamjaftueshëm, ndërsa skuadra e trajnerit Lysien Favre nuk mundi të përfitonte as nga kthimi prej dëmtimit të kapitenit Marko Rojs.
Dortmundi sapo kishte lënë pas serinë e 5 ndeshjeve pa fitore në çdo kompeticion, me suksesin 3-2 ndaj Leverkusenit javën e kaluar të Bundesligës, por nuk e mbajtën dot këtë ritëm. Shpresa e vetme e tyre është që Borusia e Mynshengladbahut të kujtohet se çfarë emri të rëndësishëm ka në Gjermani, dhe të fitojë duelin me Bajernin këtë fundjavë. Dortmundi ka 54 pikë ndaj 51 të Bajernit.
Sfidanti.al