E vlerëson lart si trajner, por nuk ia harron as sot ato probleme që pati me të. Doktori i famshëm i Bajernit dhe i Gjermanisë, Myler-Volfart, tashmë i pensionuar në moshën 77-vjeçare, pyetet për kohën kur punoi në Mynih së bashku me Pep Guardiolën. Raporti mes tyre nuk ishte aspak i mirë, dhe profesori i shquar dha dorëheqjen nga bavarezët, për t’u kthyer aty kur erdhi sërish Jup Hajnkesi. Largimi ndodhi pas humbjes 1-3 në fushën e Portos në Champions, në prill 2015.
“Ajo periudhë ishte një njollë e zezë për mua, – tregon doktori për televizionin BR24, – problemi ishte se nuk mund të kapërdija faktin që një trajner i ri në moshë, që ishte shumë i suksesshëm dhe besoj një nga më të mirët në botë, ndërhynte në punët mjekësore dhe dinte gjithçka më mirë se unë”. Në biografinë e tij, doktori sqaronte se ishte përplasur me Guardiolën i cili bënte vetëm 5 minuta nxemje, ndërsa lojtarët kishin dëmtime dhe nuk ishin në formë. Guardiola u largua në 2016, dhe Myler-Volfarti u kthye aty në 2017. “Ne jemi takuar dhe kemi biseduar, – tregon gjermani sot, – kjo është e gjitha. Ne e vlerësojmë njëri-tjetrin, dhe kemi lënë gjithçka pas”.
Sfidanti.al