Dikush t’i thotë Bajernit, se “bebet” e Dortmundit janë të forta

Kampionia në fuqi e Bundesligës hyri në fazën e dytë të sezonit me një besim të madh në vetvete se mjaftonte përvoja dhe talenti për të përmbysur tabelën e renditjes në favor të vet. Fitorja 3-1 në fushën e Hofenhajmit e forcoi këtë bindje, me afrimin në vetëm 3 pikë nga Dortmundi, i cili sipas “teorive të luftës psikologjike”, duhet të dorëzohet pasi nuk ka eksperiencë në duele të tilla për titull.

Përgjigja e Borusias erdhi shpejt, vetëm një ditë pas suksesit të Bajernit, por ishte e ndryshme nga ato që u parashikuan. Edhe pa kapitenin Marko Rojs, të dëmtuar, “bebet” e trajnerit Lysien Favre, ia dolën në një fushë tepër të vështirë si ajo e Lajpcigut, duke fituar 1-0. Belgu Aksel Vicel shënoi golin e vetëm të ndeshjes që në pjesën e parë.

Natyrisht, një ekip fitues ka nevojë edhe për një portier të mirë, dhe “gardiani” zviceran Byrki bëri detyrën me disa pritje të rëndësishme. Nga ana tjetër, Dortmundi mund të ankohet se nuk pati fat kur Pako Alkaser goditi shtyllën.

“Nuk është se po ndjejmë më shumë presion nga forma e mirë e Bajernit, – tha trajneri Favre, – nuk e patëm të lehtë, por kjo është normale”. “Gjëja më e rëndësishme ishin tri pikët, – tha shënuesi i golit, Vicel, – ne jemi përsëri 6 pikë përpara Bajernit”. Dortmundi ka 45 pikë, ndaj 39 të bavarezëve.

Sfidanti.al