E vërteta e Pol Skols: Murinjo bëri gjithçka që të shkarkohej vetë!

Derisa Zhoze Murinjo ishte trajner i Mançester Junajtidit, legjenda e këtij klubi, Pol Skols, ishte një nga kritikët e tij më të ashpër. Ai edhe tani që trajneri portugez ka një muaj që është shkarkuar, vazhdon ta sulmojë me forcë “Specialin”. Skolsi thotë se Murinjo e solli vetë punën deri në atë gjendje, saqë atë ta shkarkonin.
“Nëse më pyesni mua, unë kam mendimin se Murinjo donte që të ikte nga Junajtidi, se ai gjithçka e ka bërë me paramendim që të shkarkohej dhe kështu të merrte zhdëmtimin e madh financiar (25 milionë euro) që do të pasonte prishjen e parakohshme të kontratës me të nga ana e klubit”, deklaroi Skolsi, duke shtuar:
“Konferencat e tij të shtypit ishin për turp të Zotit dhe negative. Të gjithë e dinin se ai ishte i padëshirueshëm në dhomën e zhveshjes. Më shumë u habita, kur më thanë se ai ishte grindur me Antonio Valensian që është një nga futbollistët më të urtë që unë kam njohur. Unë kam punuar me të dhe të bësh fjalë me të është një nga gjerat më të vështira në botë”.
Sfidanti.al