“Dashurinë apo paratë”, tek Dortmundi zgjedhin idhullin Nuri Shahin

Një histori interesante e tregon gazeta gjermane “Bild”. Edhe pse tabloide, nuk mund të paragjykohet se nuk sjell gjëra të bukura, dhe një prej tyre ka të bëjë me mentalitetin që zotëron tek Borusia e Dortmundit. “Bildi” fillimisht “i bie nga Kina”, pasi sjell shembullin e një programi televiviz gjerman të viteve 90-të të quajtur “Paratë apo dashurinë” (Geld oder Libe – Geld oder Liebe), një program ku një djalë dhe një vajzë bashkoheshin rastësisht në një konkurs për të fituar para. Çifti rastësor vendosej përpara dilemës: më mirë të shkonit në një takim së bashku, apo secili prej jush të shkojë bashkë me paratë në shtëpinë e tij! Nëse zgjidhje njërën, e humbisje tjetrën.

Tek Borusia e Dortmundit, “Bildi” thekson se ekziston pikërisht një dilemë e tillë, edhe pse jo saktësisht kështu. Trajneri Tomas Tuhel humbi vendin e punës sepse u gjykua se nuk po bashkohej me familjen e madhe “verdhezi”, pavarësisht lojës shumë të bukur herë pas herë dhe fitores së Kupës së Gjermanisë. Disa nga paraqitjet e dobëta në Champions iu mveshën pikërisht atmosferës jo shumë të mirë në ekip, pra që lojtarët nuk luanin më për trajnerin e tyre. Një moment i rëndësishëm ishte dënimi që Tuheli i dha Nuri Shahinit, idhullit të tifozëve, besohet momenti që “derdhi kupën”.

Nuri Shahini është ndër ata që e ka dhënë përgjigjen e tij për pyetjen “paratë apo dashurinë”, edhe pse as ai nuk është i larë nga mëkatet. Largimi për tek Reali dhe pastaj tek Liverpuli kujtohen ende mirë, edhe fakti se nuk ia doli atje dhe që ishte një nga arsyet që u kthye. Gjithsesi, edhe Nuri Shahini është njeri dhe jo engjëll i pagabueshëm, por ai është një djalë i shtëpisë. i lindur në Lydenshajd, jo shumë larg Dortmundit, u bashkua me Borusian kur ishte 13 vjeç dhe është shumë i lidhur me klubin dhe me qytetin. Një histori vërtet e bukur, për kopertinë. Djali i emigrantëve turq, që ka zgjedhur të luajë pikërisht për Turqinë, në anën tjetër ndihet një dortmundas. Mbahet mend se ai u bë lojtari më i ri që kishte luajtur ndonjëherë në Bundesligë, 16 vjeç e 334 ditë, dhe më i riu që shënoi gol.

Sfidanti.al