I vetmuari i madh Diego Kosta, Atletiko kalon nga Çelsi

Diego Kosta vazhdon të mbetet në Brazil dhe shpresa për huazim tek Fenerbahçe “vdiq”. Klubi tuk deklaroi se bëri gjithçka për ta marrë deri në mbylljen e afatit të transferimeve në Turqi mesnatën e djeshme, por nuk ia doli. “Ishim shumë pranë arritjes së qëllimit, – tha për mediat menaxheri i Fenerit, Ajkut Koxhaman, – rezultati, veçse, ishte negativ”. Çdo të bëhet tani me sulmuesin braziliano-spanjoll? Atletiko e Madridit e pret në janar. Presidenti Serezo u shpreh se “tani për tani nuk marrim dot askënd, por shpresojmë ta kemi në janar, bashkë me disa të tjerë”. Veçse Kosta nuk mund të shpresojë të shkojë tek Atletiko duke qendruar në Brazil. Çelsi e kërkon në Londër, i ka vënë gjobë për vonesë, dhe i ka thënë se duhet të stërvitet me skuadrën e rezervave. Automobilin e ka gati në parkingun e kompleksit sportiv, ndërsa ambientet që më parë i përdorte Kosta, tani u janë dhënë lojtarëve të tjerë. Pritet se çfarë do të bëjë futbollisti, pra nëse do të zgjedhë që të djegë karrierën për të mos ulur kokën, apo do të pranojë të stërvitet me rezervat e Çelsit, në mënyrë që në janar të jetë gati për Atletikon.

Sfidanti.al