Çupo-Moting për pak kaloi debutimin e Gerd Mylerit dhe Levandovskit!

Asnjë lojtar në historinë e Bajernit nuk ia ka dalë të shënojë 3 gola në ndeshjen e parë zyrtare për klubin. Nuk e kanë bërë dot legjenda si Gerd Myleri apo Karl-Hajnc Rumenige, as Zhiovane Elberi apo Robert Levandovski. Nuk pati sukses as blerja e re nga Paris SG, Erik-Maksim Çupo-Moting. Gjithsesi, sulmuesi me emrin e gjatë u barazua me legjendat sepse shënoi 2 gola në ndeshjen e Kupës ndaj Dyrenit. Jo vetëm kaq, por fitoi edhe penalltinë që e ktheu në gol Tomas Myleri, si dhe pati një rast të pastër që e largoi nga vija e portës David Pyci (Puetz). “Ishte shumë pranë golit, – tha ai për “Skaj Sportin” pas ndeshjes, – nga pamjet filmike nuk e thua dot me siguri nëse topi e kishte kaluar vijën, por është mëkat. Një tregolësh do të kishte qenë më mirë”. Çupo-Motingu nuk pati shumë kohë, më pas, sepse trajneri Hansi Flik e zëvendësoi shpejt pasi shënoi për 3-0 në 75’.

Sfidanti.al