BMW i shpall luftë AUDI-t për të qenë një prej sponsorëve kryesorë të Bajernit të Mynihit. Kompania bavareze e prodhimit të makinave ka shfaqur synimin për të blerë kuotën e aksioneve që AUDI ka te kampionët e Gjermanisë, lajm që publikohet nga e përditshmja ‘Bild’.
Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, BMW kërkon që të blejë kuotën e 8.33% të aksioneve të AUDI për vlerën e 100 milionë Eurove, një lëvizje kjo që duket se pëlqehet edhe nga drejtuesit e Bajernit duke qenë se AUDI është pjesë e grupit ‘Volkswagen’ që së fundmi ka qenë në qendër të skandalit ‘Dieselgate’.
Shpërndarja e aksioneve të Bajernit është e tillë; klubi zotëron 75% të tyre, ndërsa Allianz, Adidas dhe AUDI kanë nga 8.33% të aksioneve secila. Tani duhet parë sesi do të kundërpërgjigjet Volkswagen që me siguri nuk do t’ia lehtësojë aspak gjërat BMW për kryerjen e këtij transaksioni.
sfidanti.al