Bajerni dhe leksionet nga ndeshja me ekipin “fshatar” në Kupë

Rëdinghauzeni është një qytezë apo fshat në Gjermani dhe skuadra e futbollit një e panjohur e madhe në vendin teuton. Gjithsesi, shorti i Kupës së Gjermanisë e ndihmoi dhe ajo nuk zhgënjeu në përballjen me Bajernin. Linus Majer shënoi në portën e Manuel Nojerit për 1-2, dhe bavarezët mezi pritën që arbitri të vërshëllente përfundimin për t’u futur nën dushe.

Në atë mot të keq, Bajerni pati edhe probleme të tjera pasi ishte me 7 lojtarë të dëmtuar. Për më keq, iu dëmtua edhe Tiago Alkantara, që nuk dihet sesa do të mungojë. Trajneri Niko Kovaç u detyrua të niste me dy sulmues në krizë si Sandro Vagner dhe Tomas Myler.

Për fat, që të dy shënuan, madje Myleri i dha fund një periudhe prej 540 minutash pa gol. Tek Rëdinghauzeni lumturia ishte e madhe, ndonëse ndeshja u luajt në stadiumin e Osnabrykut, dhe mijëra tifozë i binë birrat me kënaqësi më pas. Po lojtarët? Ata u sollën si gjermanë të vërtetë. “Nuk mund të festojmë shumë dhe të pijmë alkool, – u shpreh shënuesi i golit, Majeri, – kemi stërvitje në orën 10:00 që në mëngjes”.

Sfidanti.al