Të japësh 45 milionë euro për një lojtar që cilësohet në kurbën zbritëse të karrierës. Zherom Boateng nuk ka bindur së fundmi, as me kombëtaren e Gjermanisë, dhe as me Bajernin, por duket se është objektivi i madh i Zhoze Murinjos, nëse nuk arrin dot tek Harri Megajeri i Anglisë dhe Leisterit. Mançester Junajtid ka nevojë të ngutshme për përforcime me përvojë dhe Boateng do të bënte punë, duke qenë ende në moshë të përshtatshme, 29-vjeçare.
Gjithsesi, trajneri i Bajernit, Niko Kovaç, nuk është se i dha shumë shpresë kolegu të tij portugez. “Nuk ka asgjë për të thënë për Boatengun, – u shpreh ai, – Zheromi luajti një ndeshje shumë të mirë ndaj Junajtidit dhe është në planet tona. Jam i lumtur që ai është me ne, dhe jam i lumtur jo vetëm për të, por edhe për çdo lojtar tjetër”. Gjithsesi, tek Bajerni, duket se në krye të hierarkisë së mbrojtjes do të jenë Mats Humels dhe 22-vjeçari Niklas Zyle.
Sfidanti.al