Me mungesa të shumta dhe në kushte të vështira klimaterike, Bajerni nuk mundi të dilte “gjallë” nga Rusia. Rostovi, jo një nga supefuqitë e futbollit të vendit të madh, triumfoi 3-2 në një ndeshje shumë “tekanjoze” në Champions. Renato Sançez, më i miri i bavarezëve, krijoi golin e parë shënuar nga Dagllas Kosta, por rusët reaguan. I ndihmoi gabimi i mbrojtjes dhe iraniani Azmun kaloi Boatengun dhe shënoi në portën e mbrojtur nga rezerva Ulrajh. Pas pushimit, mbrojtja e ekipit të Karlo Ançelotit vazhdoi “të fuste ujë” dhe Boateng shkaktoi penallti ndaj ekuadorianit Noboa. Poloz shënoi në minutën e 49-të nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Bajerni arriti të barazonte falë Frank Riberisë, i cili nuk ishte ndier deri në atë kohë, por klasi i mjaftoi për t’i dhënë pasimin e duhur Bernatit. Kishin kaluar vetëm 3 minuta nga avantazhi rus dhe ndeshja ishte plotësisht e hapur. Rostovi ishte i vendosur të hakmerrej për 5 golat e pësuar në Mynih, ndërsa sulmi gjerman, sidomos Levandovski, nuk mori aspak topa të vlefshëm. Ishte ekuadoriani Noboa që fiksoi shifrat në minutën e 67-të. Në fund, Ançeloti hodhi në fushë edhe Tomas Mylerin, por nuk e kërcënoi dot portierin vendas, Xhanajev.
Bajernit i mungonin Nojer, Roben e Havi Martinez që ishin lënë në Mynih, ndërsa Humels, Alonso, Myler dhe Kimih ishin lënë në stol. Me shumë gjasa, bavarezët do të dalin të dytët në grup, ku kryeson Atletiko.